Tiranë, 22 Korrik 2025 – Me urimet më të mira për fillimin e misionit të tij diplomatik në Shqipëri, Kryetari i Kuvendit mirëpriti Ambasadorin e ri të Spanjës, Shkëlqesinë e Tij, z. Gabriel Cremades Ventura.
Gjatë takimit u theksua rëndësia e intensifikimit të diplomacisë parlamentare si një instrument kyç për forcimin e bashkëpunimit të gjithanshëm dypalësh ndërmjet Shqipërisë dhe Spanjës. Palët ndanë bindjen se lidhjet mes parlamenteve përbëjnë një mekanizëm efektiv për shkëmbimin e përvojave, promovimin e vlerave demokratike dhe mbështetjen reciproke në sfidat e përbashkëta rajonale dhe ndërkombëtare.
Ambasadori Cremades Ventura konfirmoi vazhdimësinë e mbështetjes së Spanjës për Shqipërinë në procesin e saj të integrimit europian, duke e vlerësuar atë si një qëllim strategjik kombëtar që meriton përkrahje të fuqishme nga të gjitha vendet anëtare të Bashkimit Europian. Në këtë drejtim, u riafirmua mbështetja spanjolle për objektivin e Shqipërisë për të përfunduar negociatat dhe për të anëtarësuar në BE deri në vitin 2030.
Spanja ka qenë dhe mbetet një aleate e çmuar e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare, duke kontribuar aktivisht në forcimin e marrëdhënieve politike, ekonomike, arsimore dhe kulturore ndërmjet dy vendeve.
Ky takim shënon një hap të rëndësishëm drejt thellimit të dialogut dhe partneritetit mes Tiranës dhe Madridit, në funksion të aspiratave të përbashkëta europiane dhe forcimit të stabilitetit dhe bashkëpunimit në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Leave a comment