Nëse Shqipëria është kthyer në një arenë omertaje politike e mediatike, atëherë nuk mjafton të tregosh me gisht pasojat. Duhet të shohësh edhe kush e ndërtoi këtë sistem. Sepse kur një nga arkitektët e heshtjes sot ngrihet për të predikuar fjalën e lirë, fjala nuk tingëllon si kushtrim i ndërgjegjes, por si ironi e pështirë ndaj inteligjencës së qytetarëve.
Luciano Boçi, në pamje të parë, ka shkruar një artikull të ngarkuar emocionalisht dhe me pretendim moral për të denoncuar heshtjen e mediave ndaj rastit “Agasi”. Por për çdo qytetar që e njeh historinë politike të këtij vendi dhe rolet që kanë luajtur aktorët e ndryshëm në hije e në dritë, ky opinion ngjan më shumë me një tentativë për pastrim vetjak, sesa me një reflektim të sinqertë për gjendjen e medias.
Sepse kush është Luciano Boçi për të folur për “omertàn mediatike”?
Një ish-funksionar i lartë i opozitës që për vite me radhë ka qenë pjesë e lojës së heshtjes, e bashkëpunimeve të heshtura me sistemin që sot pretendon se po e lufton.
- Kur kritikuesi është vetë pjesë e problemit
Zoti Boçi flet për media të kapura nga pushteti, por harron të thotë se në kohën kur opozita e tij ka pasur ndikim mbi një pjesë të mirë të atyre mediave, heshtja ka qenë po aq e trashë.
Ai harron të thotë se për vite, kur interesat e segmentit të tij politik janë prekur, kamerat janë fikur me urdhër, jo vetëm për mazhorancën, por edhe për krimet e bëra në emër të opozitës.
Nëse media sot hesht për Agasin, dje ka heshtur për “të tuët”, zoti Boçi. Dhe këtë, qytetarët nuk e harrojnë. - Fjalë të mëdha, hipokrizi më e madhe
Është paradoksale të përdorësh termin “omertà” për të përshkruar situatën mediatike, kur vetë ke qenë pjesë e marrëveshjeve të heshtura politike që kanë mbajtur të pandëshkuar shumë figura të komprometuara në radhët e të dy krahëve.
Fjala e lirë që sot kërkon t’i mbrojë zoti Boçi, është ajo fjalë që për vite u shtyp nga zëri i partive që nuk e donin median e lirë, por vetëm median e përdorshme. Dhe ai këtë e di shumë mirë – sepse ka qenë për shumë kohë pranë pushtetit të partisë që nuk e denonconte dot vetveten.
- “Media që sulmon opozitën” – por çfarë opozite?
Shumë e lehtë të fajësosh mediat që nuk mbulojnë “siç duhet” opozitën. Por nuk mund të kërkosh mbulim serioz kur opozita vetë ofron teatër të brendshëm, luftë për karrige dhe asnjë vizion të qartë për zgjidhjen e krizës politike.
Po të ishte media vërtetë e ndershme, ajo do të kishte mbuluar me të njëjtin intensitet edhe pazaret në selinë e Partisë Demokratike, dështimet për t’u ribërë faktor, dhe marionetat politike që shfaqen me flamur opozitar por mbajnë flamuj të tjerë nën tavolinë.
Kjo media, për të cilën qan sot Boçi, është po ajo media që për vite të tëra e ka bërë edhe opozitën protagoniste të skandaleve por për këtë, ai nuk flet. Sepse i vret më shumë një heshtje ndaj mazhorancës sesa një heshtje ndaj të vetëve. Dhe kjo është standard i dyfishtë.
- Jo çdo heshtje është frikë – ndonjëherë është mospërfillje
Për më tepër, jo çdo mosraportim është “heshtje nga frika” apo urdhër. Ndonjëherë media zgjedh të mos mbulojë një rast jo nga presioni, por sepse nuk i jep atij rast vlerën që do politika ta kthejë në skandal.
Rasti “Agasi”, pa prova të qarta, është më shumë një pistë politike se sa një ngjarje me rëndësi publike reale. Nëse SPAK e ka marrë në pyetje, le të flasë me rezultat. Por nuk mund të pretendohet që media të ndizet si zjarri për çdo indicie që i përshtatet një narrative opozitare.
- Çfarë media kërkon Boçi? Të vërtetën apo propagandën e tij?
Në fund të ditës, artikulli i Luciano Boçit nuk kërkon media të lirë.
Kërkon media që t’i shërbejë atij dhe narrativës së tij politike.
Nëse media do fliste çdo ditë vetëm për skandalet e qeverisë dhe do injoronte problemet e opozitës, Boçi do ishte i lumtur.
Po kjo nuk është media e lirë.
Kjo është media që riciklon propagandën, vetëm me ngjyrë tjetër.
Përfundim: Fjala e lirë nuk ka avokatë të përhershëm!
Luciano Boçi nuk është zëri i ndërgjegjes së medias. Ai është zëri i një lojtari politik që për vite ka heshtur aty ku duhej të fliste dhe sot flet aty ku dikur ka heshtur vetëm sepse i shkon për shtat interesit të momentit.
Nëse duam media të lirë, nuk na nevojiten predikues që kanë qenë vetë arkitektët e manipulimit.
Na duhen gazetarë që nuk pyesin as për Gysin, as për Boçin, as për Agasin.
Na duhen qytetarë që nuk mashtrohen më nga retorika e zhveshur nga sinqeriteti.
Dhe mbi të gjitha, duhet të dallojmë dallimin mes kritikës së vërtetë dhe aktorëve që duan të shesin moral duke pasur duart plot me heshtje të së shkuarës.
Leave a comment