15- gushti, Festa e Mëmës
një rit pellazgo-iliro-arbëror që ruhet akoma në Myzeqe
kushtuar Mëmës Tokë dhe Mëmës humane (gruas)
Nga: Maksim Zarka!
Shkas për të shkruar për ritin e larjes së familjes në det më 15 gusht e mora nga një habi dhe njëkohësisht entusiazëm që shfaqi albanologu i shquar Prof.Dr.Dhimitër Pilika, kur pa me sytë e tij se ekzistonte akoma një krahinë shqiptare, Myzeqeja, ku njerëzit praktikonin një rit të vjetër pellazgo-ilir, atë të larjes së familjes në det në mënyrë kolektive si komunitet. Këtë ai e quajti një zbulim, një fat për Të’, si dhe një pasuri për popullin shqiptar që ka ruajtur një rit që vjen nga larg, nga epoka e neolitit.
Ja si shkruan ai: ”Festën pagane të Dhemetrës pellazge, të rrënjosur prej mijëra vjetësh rreth e qark Apolonisë, e kremtonin deri dje mbarë myzeqarët,… duke u larë bashkërisht në det”
Ndërsa N.Ceka shkruan: “Në fillimin e festës, apoloniatët shkonin për t’u larë në det, një zakon që u ruajt nga popullsia e Myzeqesë deri në ditët tona” Madje në Apoloni, në anën perëndimore të qytetit, ku muret e tij takoheshin me fushën pjellore, gjendej tempulli i Demetrës (Dhemitrës)
Larja e grave më 15 gusht më 15 gusht, I kishte rënë në sy dhe Eqerem bej Vlorës kur kaloi nëpër Muzeqe më 1906. Ai shkruan: “…Gratë e Myzeqesë shkojnë në det, ato të maleve në ndonjë përrua a lumë. …tallazet e ujit u vishet fuqia për të luftuar shtërpësiën e grave.”
Jo vetëm që u ruajt nga Myzeqeja, por palca e popullsisë autoktone e Apolonisë ishin myzeqarët. Festa e tokës është traditë autoktone ilire-arbërore-myzeqare.
Festa e Mëmës është një rit i vjetër që vjen nga lashtësia. Është me burim pellazgo-ilire. I kushtohet dy mëmave: Tokës (Dheut) dhe Gruas si nënë, këto janë dy hyjnesha të pjellorisë e të miqëqenies. Riti i kësaj feste është ruajtur deri në ditët e sotme vetëm nga populli i Myzeqesë.
Kjo festë zhvillohet më 15 gusht. Në këtë ditë , familja myzeqare me të gjithë pjesëtarët e rritur të familjes (burra e gra, djem e vajza) organizon larjen në det. Kush nuk kishte mundësi e kryen larjen në lumë apo liqen. Larja bëhej veshur me rroba. Kur futen në det burra e gra, ashtu të qeshura e të gëzuara, larjen prindrit e shoqërojnë me tre lutje drejtuar detit.
Lutja e parë bëhet për begatinë e familjes:
-Valë, o valë e parë, na sill një vit të mbarë!.
Lutja e dytë bëhet për djalin apo vajzën të pa martuar që t’i dalë fati:
– Valë, o valë e dytë, na i bëj djalin (vajzën) vet i dytë!.
Lutja e tretë bëhet për lindje fëmije nga çiftet e rinj që nuk janë bërë akoma me fëmi:
- Valë, o valë e tretë, na i bë djalin me nusen vet i tretë!.
Ndërsa vetë djemtë beqarë kryenin lutjen: O deti shyt, sivjet vetëm në mot vet i dytë!.
Riti i larjes në det praktikohet në Myzeqe nga të dy besimet, i krishterë dhe mysliman. Po ta vini re me kujdes, lutjet bëhen për mirëqënie, begati dhe për pjellori, lindje. Lutjet i drejtohen detit dhe valës së tij dhe jo ndonjë perëndie monotoiste. Një tregues tjetër ky i karakterit pagan i kësaj festë të lashtë të popullit tonë. Kjo festë i kushtohet Tokës (Dheut) me atributet e pjellorisë së mëmës që quhej Dhemitra. Dhemitra kishte statusin e hyjneshës. Kjo perëndi është e lidhur me mëmësinë dhe pjellorinë e tokës. Simbolet e saj janë kalliri i grurit, briri i mbushur, drapër, pishtari, lulja e narcisit dhe lulëkuqja. Dheu (toka) ishte mëma e bimëve dhe e pemëve. Prej të cilëve ushqeshin njerëzit e parë. Ky mendim kishte lindur nga vëzhgimi empirik dhe përvoja e njëriut. Njëriu i parë dhe veçanërisht gratë vunë re, se nga farat e pemëve që binin në tokë pas një farë kohë ato mbinin dhe zhvilloheshin. Më vonë ai mësoi që proҫesin e mbjelljes të mos e linte në dorë të natyrës, por ta mblidhte farën dhe ta mbillte vetë me rregull. Hidhej fara në tokë dhe prej aty mbinin dhe gjallonin bimët. Kështu njërëzit filluan të nderonin kultin e tokës.
Dhemitra adhurohej gjithkund në arealin pellazgo- ilir, por në Myzeqe e gjejmë dhe në monedha lokale. Për këtë Dh.Pilika shkruan: “Adhurimin e Dhemetrës në Apoloni e dëshmon gjithashtu një monedhe lokale e prerë për nder të kësaj hyjneshe me rrënjë dodonase.”
Në vijim të traditës së prerjes së monedhave me adhurimin e Dhemitrës, edhe mbreti Zog e materializoi atë te monedha 100 Frangëshe.
Festa e 15 gushtit i kushtohet aftësisë së pjellorisë së dy mëmave, Mëmës Madhe (Tokë) dhe Mëmës humanë që është gruaja. Ndaj quhet dhe Festa e Tokës ose Festa e Mëmës, ku përfshihet si Mëma Toka dhe Mëma humane (gruaja).
Në thelb kjo festë i kushtohet natyrës (Tokës) dhe jetës humane, për të cilat sot flitet shumë e bëhet pak. Të parët tanë e kishin kthyer në kult adhurimi me status përëndie si Tokën dhe Gruan.
Krishtërimi këtë Festë të Mëmës e zëvëndësoi me Festën e Shëmrisë, ku në qendër është përsëri po mëma (gruaja), zonja Shëmri. Myzeqarët, kur duan të tregojnë se janë pjellë të një nënë apo vijnë nga një gjyshe, përdorin me krenari shprehjen e bukur, por shumë kuptimplote: “Jemi barku i Shëmrisë”.
Populli Myzeqesë krahas nderimit për Shëmrinë e 15 gushtit, nuk harroi (por as kisha se ndaloi), që në 15 gusht të kryente ritin e larjes si familje dhe si komunitet në det. Të lutej për krijimin e familjeve të reja, për lindjen e fëmijëve, për ruajtjen e vazhdimësinë e jetës. Madje as sistemi monist nuk i ndaloi myzeqarët të praktikonin këtë rit me zanafillë neoliti.


Leave a comment