Home Sociale Familja dhe miqësia: dy shtyllat e jetës në kohën e sotme.
Sociale

Familja dhe miqësia: dy shtyllat e jetës në kohën e sotme.

Share
Share

Nga: Elmira Rama

Familja ka qenë dhe mbetet një nga institucionet më të rëndësishme të shoqërisë njerëzore. Ajo është strehë, mbështetje dhe vendi ku formohet individi. Familja është ajo botë e vogël ku lindim,rritemi dhe përgatitemi për t’u përballur me sfidat e botës së madhe shoqërore. Që në fillesat e jetës është familja ajo që na mëson vlerat, rregullat dhe dashurinë pa kushte. Ndaj kur duam të përshkruajmë një marrëdhënie të ngushtë me dikë, shpesh themi më është gjendur “sikur motër”, “sikur vëlla”, “sikur prind”.
Në dekadat e fundit koncepti i familjes ka pësuar ndryshime. Familja tradicionale me role të përcaktuara qartë dhe e mbështetur mbi lidhjen biologjike po i lëshon vendin modeleve të reja familjare. Nga studimet dhe vëzhgimi i realitetit rezulton se nuk ekziston një formë ideale familjeje, që të jetë më e mirë se të tjerat. Ajo që ka rëndësi, nuk është struktura, ( familje e origjinës, e re, e zgjeruar, e përzier), por cilësia e marrëdhënieve brenda saj, respekti, dashuria, harmonia.
Zhvillimet e reja shoqërore po shfaqin gjithnjë e më shumë si një model alternativ familjar miqësinë, veçanërisht në rastet kur individët jetojnë larg familjes së origjinës për arsye emigrimi apo migrimi.Në mungesë të prindërve, vëllazërisë apo fëmijëve, miqësia bëhet pjesë e përditshmërisë sonë duke na qëndruar pranë në gëzime e hidhërime, në sëmundje, në sfida dhe në vendimmarrje. Në një botë, ku shpesh ndodh të jesh i izoluar apo larg nga rrënjët, miqësia fiton një funksion të ri: bëhet familja e zgjedhur, e ndërtuar mbi besim, solidaritet dhe përkujdesje të ndërsjellë.
Kjo gjë, nuk është e panjohur për shoqërinë shqiptare. Mjafton të kujtojmë figurën e “burazerit” dhe “dadës së burazerit” në Myzeqe, një formë e zgjeruar e familjes që në thelb mishëron miqësinë si lidhje të fortë.Kjo traditë, ende e respektuar në disa zona, është dëshmi se familjarizimi miqësor ka ekzistuar gjithnjë në kulturën tonë, ndonëse sot po rifiton një dimension të ri.
Ky “revolucion” i heshtur që po ndodh në strukturën e marrëdhënieve njerëzore shtron një pyetje : A mund ta zëvendësojë miqësia mungesën e lidhjeve biologjike, kur vetë këto të fundit sa vijnë e dobësohen ?
Përgjigjja ime është PO, por kjo kërkon empati, besnikëri, ndjeshmëri reciproke, kërkon respektim të rregullave të pashkruara. Miqësia, për të funksionuar si familje, duhet të mbështetet mbi marrëdhënie të sinqerta, të balancuara dhe të qëndrueshme. Ndaj është momenti të zhvendosim vëmendjen nga forma e jashtme e familjes drejt cilësisë së edukimit të individit mbi marrëdhëniet njerëzore brenda gjakut dhe përtej tij, për të siguruar raporte familjare të sinqerta dhe të qëndrueshme.
Situata të caktuara të përjetuara apo të dëgjuara më diktojnë se familja nuk është gjithmonë vetëm lidhje gjaku. Ajo ndërtohet si një shtyllë e sigurt me besimin, ndjeshmërinë dhe respektin e ndërsjellë, e për më shumë pranohet si një pasuri, si një strehë pa paragjykime ku merr frymë lirisht.
( E.ra)

Share

Leave a comment

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Related Articles

Lokali i Petraq Trifkës, një shembull i suksesshëm i turizmit kulinar

Turizmi kulinar po merr një rol gjithnjë e më të rëndësishëm në...

Genar Topalli dhe bashkëshortja e tij kurorëzojnë dashurinë në Vatikan

Në një atmosferë madhështore dhe plot emocion, Genar Topalli së bashku me...

Edukimi dhe fuqizimi i të rinjve

Edukimi dhe fuqizimi i të rinjve është një nga shtyllat më të...

Edukimi sentimental, një domosdoshmëri për parandalimin e dhunës ndaj grave në Shqipëri.

Nga Newslibero.com Rasti i fundit në Durrës, ku një turiste italiane 18-vjeçare...