Nuk ka çudi e as kumt të padëgjuar në shkëlqimin e mediokritetit.
Ka veç hordhi që rendin të mbysin gjithkënd e gjithçka.
Bëjnë plaçkë e me kryet mbi barbari i këndojnë madhështisë së tyre.
Neroni ishte veç njëri prej tyre që si shumë nga këta u bë Perandor.
Nuk janë rastësi e as mënxyrë.
Këta thjesht janë.
E janë të shumtë.
Të shumtë në numër, të shumtë në ligësi.
Të shumtë në urrejtje, të shumtë në rrënimësi.
Vrasin Mozartin dhe lëvdojnë Neronin.
E në fund sytë u kuqohen kur thonë se kanë bërë histori.
Rrethojnë këdo, zhbëjnë gjithçka, që koka e tyre të ngrihet mbi hata.
Hataja që bëjnë është paqja e tyre.
Plaçka që bëjnë është shpërblesa e tyre.
Vrasja e Mozartit, historia e tyre.
Ata janë të shumtë, e dinë të bëjnë rrethim.
Ata janë të ligj e dinë të bëjnë kurthim.
Verbët shohin botën se nuk kanë ndriçim.
Sytë ia nxjerrin gjithkujt që ka largshikim.
Mendjeshkurtësia i bën pa qëllim.
Lakmia e xhelozia i shtijnë të bëjnë edhe krim.
Mozartin e vrasin pa pikën e mëshirës.
Historinë e bëjnë si mbytës të së mirës…
Leave a comment