Në kuadër të përgatitjeve për vitin e ri shkollor 2025-2026, Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, zhvilloi një takim me drejtuesit e zyrave arsimore vendore nga i gjithë vendi, për të koordinuar hapat e fundit që do të sigurojnë një fillim të mbarë të vitit shkollor.
Gjatë takimit, ministrja theksoi se infrastruktura shkollore mbetet një prioritet kryesor, duke bërë të ditur se rreth 30 shkolla tërësisht të ristrukturuara do të hapin dyert për nxënësit më 8 shtator. Ajo kërkoi nga drejtuesit e zyrave arsimore vendore monitorim të kujdesshëm të çdo institucioni arsimor, për të siguruar që ambientet të jenë tërësisht funksionale dhe të gatshme për të pritur nxënësit.
Në fokus të diskutimeve ishte edhe trajnimi i mësuesve, si një element kyç për cilësinë e mësimdhënies. Ministrja u ndal te udhëzuesi për vitin e ri shkollor, ku theksohet hartimi i Planit trevjeçar të Zhvillimit Profesional të mësuesve, bazuar në vlerësimin individual të nevojave për trajnim të çdo mësuesi, të identifikuara përmes monitorimeve periodike.
Një tjetër temë e rëndësishme ishte siguria në shkolla. Ministrja Manastirliu kërkoi bashkëpunim të ngushtë mes oficerëve të sigurisë, shërbimit psiko-social dhe të gjitha hallkave të tjera përgjegjëse në kohë reale, me qëllim parandalimin e fenomeneve të padëshiruara dhe garantimin e një mjedisi të sigurt dhe mbështetës për çdo nxënës.
Viti i ri shkollor fillon më 8 shtator, ndërsa strukturat arsimore dhe bashkitë janë në mobilizim të plotë për të siguruar kushtet e nevojshme për një fillim të mbarë dhe mësimdhënie cilësore.
Leave a comment