Nga: Pëllumb Dervishaj, Urbanist dhe Arkitekt me mbi 30 vite përvojë
Më 30 gusht 2025, qyteti i Vlorës përjetoi një përmbytje të papritur. Por ky nuk ishte një aksident natyror i rrallë ishte rezultati i një zinxhiri dështimesh të akumuluara ndër vite.
Një qytet simbol i historisë kombëtare shqiptare, mbajtës i flamurit të Pavarësisë, po fundoset në një krizë urbane dhe mjedisore. Dhe kjo krizë nuk mund të justifikohet më as me reshje, as me fatkeqësi natyrore të papritura. Vlora po fundoset nga mungesa e infrastrukturës funksionale, planifikimit afatgjatë dhe vizionit për zhvillim të qëndrueshëm.
Si profesionist me dekada përvojë në projektimin dhe zbatimin e objekteve të rëndësishme civile dhe industriale në shkallë vendi, ndjej përgjegjësi morale dhe profesionale të ngre zërin.
Po shohim qytete që zhvillohen dhe të tjera që zhyten në kaos. Vlora është një pasuri kombëtare dhe si e tillë meriton vëmendje, dije dhe përkushtim nga projektuesit, investitorët dhe qytetarët e saj.
Duhet ta ndalim këtë rrëshqitje drejt degradimit urban. Ndërtimet vertikale që po ngrihen në mënyrë të pakontrolluar, pa një plan zhvillimi të qëndrueshëm, po e transformojnë qytetin në mënyrë të rrezikshme. Kjo nuk është zhvillim është shkatërrim.
Nesër është vonë. Koha për veprim është tani.
Vlora nuk është vetëm qyteti i flamurit është një pikë bashkimi kombëtar. Duhet të reflektojë mikpritjen shqiptare, historinë dhe potencialin turistik dhe ekonomik që ka.
Le ta ndërtojmë këtë qytet me logjikë, me standarde bashkëkohore dhe me vizion. Le të mos e lëmë më në mëshirë të betonit të pakontrolluar apo interesave të çastit.
Shqipëria nuk ka prekur ende konceptin e “Qyteteve Reziliente” një tematikë e studiuar e zbatuar ndërkombëtarisht prej më shumë se 30 vitesh.
Mjaft me propagandën që glorifikon metodat e para viteve ‘90. Injorimi i dijes teknike dhe profesionistëve të fushës është një veprim antikombëtar. Të ndalojmë denigrimin e shkencëtarëve, inxhinierëve, arkitektëve dhe teknicienëve në të gjitha fushat. Le të respektojmë dijen e gjallë të brezave tanë.
Koha për bashkëpunim, jo për heshtje.
Pëllumb Dervishaj
Urbanist & Arkitekt
Vlore, Gusht 2025
Leave a comment