Home Kulturë Historik Ku u caktua fati i Luftës për Vlorën?
Historik

Ku u caktua fati i Luftës për Vlorën?

Share
Share

Nga: Zeno Jahaj

Në Paris, në Lushnjë, në Vlorë, në Tiranë apo në Romë? Në njerin nga këto “kryeqytete”, apo nga pak në secilin?

Sepse përgjigja ndaj pyetjes lidhet me Konferencën e Paqes në Paris 18 Janar 1919 – 21 Janar 1920, Kongresin e Lushnjës 21-31 Janar 1920, luftimet për Vlorën që nisën më 29 maj 1920, armëpushimin dhe Traktatin e Tiranës me Romën në 2 Gusht 2020 dhe tërheqjen e plotë të trupave italiane nga Vlora më 3 Shtator 1920. Ajo lidhet gjithashtu me dinamikat gjeopolitike të shteteve të interesuara të kohës, përfshi edhe dinamikat e shtetit Shqiptar.

Kështuqë, vetvetiu që nuk ishte “Lufta e Vlorës”, por “Lufta për Vlorën”. Sepse raportet në terma përcaktohen me parime, jo me amatorizëm, as me mithe: luftrat kundër pushtuesve të huaj janë gjithnjë shtetërore, jo lokale, sado që në pikëpamje ushtarake qëllon të kryhen në hapësira të vogla të territorit shtetëror. Vetëm luftimet apo betejat në kuadër të luftës janë lokale, jo lufta vetë. Kjo shpjegohet në të gjitha shkollat ushtarake të luftës, në botë dhe në Shqipëri.

  1. Dinamikat gjeopolitike

Ndër fituesit e Luftës së Parë Botërore, Franca ishte në makth të hershëm si ta rrethonte Gjermaninë me një “kordon sanitar”. Rusia e ndërpreu në mes luftën për t’u futur në eksperimentin e ri ideologjik: të parin shtet komunist në botë. Britania e Madhe “ra nga vakti” për t’ia dorëzuar SHBA-së çelësat e botës.

Ndër humbësit, Gjermania, e ndëshkuar për t’u “këputur” fare me 132 miliardë marka ari reparacione, 13% humbje territoresh dhe 10% popullsie, u zhyt në krizë e trazirë totale. Perandoria Austro-Hungareze pushoi së ekzistuari brenda natës duke u fragmentuar në Austri, Hungari, Çekosllovaki dhe Jugosllavi – të gjitha pa dalje në det. Perandoria Otomane u shpërbë plotësisht dhe humbi pothuajse të gjitha territoret europiane për të lindur Turqinë.

Kështu, Europa humbi hegjemoninë klasike globale. E kundërta me SHBA-në: u shndërrua në një fuqi vendimtare globale, e vetmja që hyri në luftë me burime të paprekura, ndërkohë që në dy vjetët e fundit të asaj lufte angazhoi në Europë dy milionë ushtarë. Ndryshoi ekuilibri i fuqisë: europianët, deshën apo nuk deshën, u detyruan ta pranojnë SHBA-në si “arbitër” në Konferencën e Paqes, ku u diktuan kushtet e paqes dhe u rishkrua harta e Europës.

  1. Italia dhe Shqipëria

Në Luftën e Parë Botërore, strategjia ushtarake dhe politika e jashtme kishin humbur lidhjet midis tyre në atë shkallë saqë, planifikimi ushtarak u krye në mënyrë të pavarur nga diplomacia (Kissinger). Rekrutimi dhe mobilizimi masiv ushtarak zëvendësuan stilin aristokratik të diplomacisë së shekullit të 19-të. Me Italinë që e mishëroi më shumë se cilido shtet tjetër këtë aventurë. Kishte lidhur më herët një aleancë me Gjermaninë dhe Austro-Hungarinë, me pritshmërinë se do të ishte një aleancë mbrojtëse, por në vitin 1915, me Traktatin e Londrës, u tërhoq nga kjo aleancë dhe iu bashkua Fuqive të Antantës (Britani, Francë, Rusi), të cilat, në këmbim, i premtuan, midis të tjerash, pjesën e luanit nga Shqipëria kur kjo e fundit të copëtohej midis Greqisë dhe Serbisë (Jugosllavisë). Italia ndërroi aleancat në mes të lojës, duke e futur në qorrsokak politikën: u fut në luftë kundër Austro-Hungarisë ku hapi front me katër armata, ndërsa në Shqipëri angazhoi forcat e një korpusi. Humbi 650,000 njerëz në luftime dhe një milion të tjerë iu plagosën ose iu gjymtuan. Me këto humbje, të lexuara si kontribute, hyri në Konferencën e Paqes, duke pretenduar atributet e Fuqisë së Katërt të Madhe, përkrah Francës, Shteteve të Bashkuara dhe Britanisë.

Nga ana tjetër e Adriatikut, Shqipëria, me largimin prej saj të administratorëve të huaj në mesvitin 1914, humbi edhe atë pak stabilitet që ishte krijuar pas shpalljes së pavarësisë me kufij të shpallur në letër, por të papiketuar në terren. U vërshua nga shtatë ushtri, secila për të copëtuar sa më shumë për llogari të vet me austro-hungarezët që vunë nën zotërim dy të tretat e vendit, francezët që formuan të ashtuquajturën “Republikë të Korçës” dhe italianët që vunë nën zotërim pjesën tjetër të vendit duke “zbythur grekët nga një pjesë e madhe e jugut”.

  1. Konferenca e Paqes dhe Shqipëria

Konferenca, pasi kaloi nëpër disa faza kalimtare, me një “Këshill të Pesëshes” dhe një “Këshill tjetër i Dhjetëshes”, evidentoi një “Këshill të Katërshes”, të përbërë nga i zoti i shtëpisë, Kryeministri Clemenceau, Presidenti amerikan Uillson, kryeministri britanik Lloyd George dhe kryeministri italian Orlando. Shumë shpejt, “Këshilli i Katërshes” u reduktua në një “Këshill të Treshes”, me vetëm Francën, Britaninë dhe Amerikën.

Italia mbeti jashtë. U respektua, por nuk u pyet më, sepse shfaqi kështu dobësinë e përhershme gjeopolitike të saj: e ekspozuar po aq ndaj interesave detare, sa edhe interesave kontinentale; gjithnjë e gjendur midis fuqive më të mëdha, por asnjëherë plotësisht një prej tyre, pra, një fuqi e madhe në pozitë gjeografike, por mesatare në kapacitete; me ambicie rajonale, por e paaftë për t’i realizuar – arsye të mjaftueshme këto për t’iu “përdredhur” aleancave, duke i ndërruar ato si kuajt në mes të lumit.

Në treshen zotëruese të Konferencës, SHBA ishte e barabartë vetëm me vetveten, jo vetëm për nga numrat, por edhe për nga parimet e reja që solli për vendosjen e rendit të ri botëror. Europa nuk i njihte parimet uillsoniane, jo se i mungonte kultura, por sepse nuk i kishte përdorur kurrë: historikisht i kishte bërë zgjidhjet me kritere fuqie dhe aleancash, jo nëpërmjet kritereve të demokracicë, sigurimit kolektiv, marrëveshjeve paqësore, vetevendosjes dhe frymës morale. Koncepti Europian, posaçërisht i Britanisë së Madhe, “mëmëdheu i politikës së ekuilibrit të forcës” (Kissinger), ishte që duhej ndaluar lindja e vendeve të vogla, ngase ato prishin rendin ndërkombëtar, se papërvoja e tyre zhvillonte epideminë e rivaliteteve etnike, ndërsa dobësia e tyre relative nxiste ndërhyrjen e Fuqive të Mëdha; ato duhet t’ua nënshtronin ambiciet e tyre interesave më te gjera të paqes.

Përkundër, parimi i Uilsonit për një rend të ri botëror ishte që, midis të tjerash, “popujve që u jepet vetvendosja nuk do të kishin më arsye për të bërë luftë”. Falë këtij parimi, SHBA nuk mund ta injoronte ekzistencën e kombit shqiptar, më të lashtin në gadishull, sepse herët a vonë, kjo minë me sahat do të pëlciste dhe kështu do të hidhej përsëri në erë ai mision për të cilin Presidenti Uilson u investua fuqishëm duke u shoqëruar nga një ekip i posaçëm kërkimor e këshillues prej rreth 150 ekspertësh gjeografë, historianë, etnografë, ekonomistë, juristë të ligjeve ndërkombëtare, ndër ta, Uilliam Lin Uesterman, ekspert etnograf dhe historian, autori kryesor i raporteve, hartave dhe memorandave për kombin shqiptar dhe Shqipërinë si shtet.

Ishte kjo arësyeja, që Presidenti, në 30 Qershor 1919, nëpërmjet telegramit dërguar Sekretarit të Shtetit Robert Lansing do të kërkonte vëmendjen e tij: “Desha që, përpara largimit, t’ju shpreh juve dhe kolegëve të tjerë, interesimin tim shumë të thellë për fatet e Shqipërisë. Kam frikë se mos në morinë e gjërave të tjera që mund të duken më të ngutshme dhe më të rëndësishme, nënvlerësohet vemendja që duhet t’u kushtohet atyre të drejtave. Ju lutem të tregoheni shumë të kujdesshëm sa u përket atyre”.

  1. Kongresi i Lushnjës

Në vlerësim të mbështetjes diplomatike dhe morale të dhënë nga Presidenti Amerikan në Konferencën e Paqes, atdhetarët shqiptarë më në zë dhe më me peshë të vendit, në 21 Janar 1920, pikërisht ditën e përfundimit të Konferencës së Parisit, u mblodhën në Kongresin e Lushnjës, i cili “doli të ishte shpallja e dytë e mëvetësisë” (Bernd J. Fischer, Oliver Jens Schmitt) së shtetit të ri shqiptar. Pas largimit në vitin 1914 të Ismail Qemalit dhe Princ Vidit, Shqipëria nuk pati qeverisje përgjatë viteve 1914-1920, për shkak të pushtimeve ushtarake të huaja, fragmentarizimit të jetës politike dhe mungesës së një autoriteti të centralizuar. Kongresi i Lushnjës, duke rivendosur qeverisjen kombëtare dhe duke arritur njohjen ndërkombëtare të Shqipërisë nga Lidhja e Kombeve në vitin 1921, evitoi një zhvillim të rrezikshëm me rrjedhime të paparashikuara për integritetin dhe sigurinë e vendit. Kongresi i Lushnjës ishte shteti, institucioni, themeli i fuqisë së Shqipërisë. Ai Kongres krijoi kornizën institucionale dhe politike që mundësoi organizimin e mëvonshëm të rezistencës ushtarake për çlirimin e Vlorës, sepse themeloi qeveri legjitime kombëtare, duke përfshirë një Ministrí të Luftës dhe njohu domosdoshmërinë dhe urgjencën e largimit të pushtuesve nga Shqipëria, nga Vlora konkretisht, duke ia lënë organizimin ushtarak për këtë qëllim qeverisë së dalë prej tij.

  1. Lufta për Vlorën

Në duar të afta, Vlora kontrollon Adriatikun. Austria ishte e vendosur që serbët të mos kishin “dritare drejt detit” përmes Shqipërisë, ndërsa Italia ishte e vendosur që Perandoria Austriake të mos zbriste nëpër Adriatik, sepse kështu do të takohej diku me Greqinë dhe, ose njera, ose tjetra do të të zotëronte Vlorën. Sidoqoftë, Italia dhe Austria pajtoheshin në një pikë: ishin të vendosura ta mbanin Serbinë, protektoratin sllav të Carit, larg nga aksesi në bregdetin Adriatik që mund të bëhej bazë për flotat ruse.

Ndërkohë, në prag të Luftës për Vlorën, dispozitivi ushtarak italian prej afro 2 milionë trupa ishte përhapur në rreth 2,78 milionë kilometra katrore: në Itali, bregdetin lindor të Adriatikut, Turqinë Aziatike, Libi, Somali, Eritre, etj. Një përhapje kaq e gjerë dhe e fragmentuar i rraskapiti edhe më shumë burimet e shtetit italian dhe krijoi një sërë problemesh të ndërlikuara në nivel taktik, operativ, strategjik dhe logjistik, çka preku drejtpërsëdrejti kohezionin ushtarak.

Në këto kushte, pati rënie të moralit kombëtar deri në trazira sociale, të cilat, në ushtri morën formën e rebelimit masiv ushtarak: në Ankona shpërtheu kryengritje e bersalierëve të Regjimentit të 11-të, të cilët refuzuan të niseshin për në Vlorë, në Shqipëri, për ndërrim forcash.

Forcat e pushtimit italian në Vlorë dhe rrethina arrinin në rreth 20 mijë trupa, të komanduara nga oficerë të gradave madhore, të arsimuar në akademitë ushtarake dhe shkollat ushtarake italiane të luftës. Këto forca ishin dislokuar në rreth 10 pika kyçe strategjike, të organizuara në formát garnizonesh, pjesërisht të fortifikuara, kryesisht në qytetin e Vlorës, por edhe në Kotë, në bregdetin Vlorë-Sarandë, Tepelenë, etj, në një sipërfaqje të përgjithëshme rreth 2000-2500 kilometra katrorë.

Forcat shqiptare angazhuan në veprime luftarake rreth 4000 luftëtarë vullnetarë, të drejtuar nga një Komitet i Mbrojtjes Kombëtare, të organizuar në njësi të parregullta dhe të komanduara nga tre-katër oficerë të gradave të mesme dhe fillestare, të trajnuar në shkollat ushtarake Otomane.

Duket absurde që të fitohej një luftë teksa raporti i përgjithshëm i forcave arrinte rreth 1 me 5 në favor të forcave italiane. Shumica e doktrinave ushtarake, një sulm me raport forcash 1 me 5, në kushte normale, do ta konsideronin si taktikisht vetëvrasës. Por, po këto doktrina, e pranojnë mundësinë e rrallë të suksesit në kushtet e këtij raporti forcash thellësisht disproporcional kur a) mbrojtësi është i shpërndarë në të paktën mbi pesë garnizone aq larg nga njeri-tjetri sa të mos kenë mbështetje taktike me njeri- tjetrin; b) sulmi zhvillohet në befasi të plotë; c) teknologjia e sulmuesit është superiore; d) sulmuesi mbështetet me aviacion dhe artileri në atë shkallë sa të neutralizojë mbrojtësin; e) morali i forcave sulmuese është krahasimisht i lartë, ndërkohë që morali i forcave mbrojtëse është krahasimisht i ulët; ë) stërvitja e forcave sulmuese është shumë më e lartë sesa e forcave mbrojtëse.

Forcat shqiptare mund të përfitonin avantazh nga pikat a, b, e, ndërkohë që forcat italiane ishin superiore në pikat c, d, ë. Arti i Luftës për Vlorën qëndroi pikërisht se u shfrytëzuan në mënyrën më të mirë mundësitë që krijonin avantazh. Shumëvlerëshi absolut ishte sidomos faktori moral, i cili, sipas përgjithësimeve analitike të dala nga luftrat reale, simulimet strategjike dhe konsideracionet e mjeshtërve të mëdhenj të luftrave, rezulton të jetë përbërës kritik dhe shpesh vendimtar në fitore, në krahasim me numrin e forcave dhe mjeteve, taktikave dhe strategjisë, teknologjisë, etj. Ishte ky faktor moral që i çoi luftëtarët shqiptarë të gjenin zgjidhje të zgjuara për të vepruar me inisiativë dhe në solidaritet, me guxim deri në heroizëm për të bërë me vullnet sakrificën sublime. Ndërkohë, u përllogaritën me kujdes sidomos taktikat që do të ndiqeshin përmes sulmeve të tipit gueril ndaj linjave të furnizimit dhe garnizoneve më të largëta – të vetmet raste ku forcat shqiptare mund të arrinin epërsi në numër, për të vijuar pastaj me një strategji rrethimi dhe bllokimi të garnizonit italian të qytetit të Vlorës në të tre anët e kontaktit tokësor. Ishte garnizoni ku ishin përqendruar forcat dhe mjetet kryesore dhe i vetmi garnizon që mund të përfitonte edhe nga mbështetja me artilerinë e anijeve luftarake të ankoruara në Gjirin e Vlorës.

Strategjia e vetme e mbetur ishte mbajtja nën rrethim e forcave italiane sa më gjatë në kohë.

Këto zgjidhje përbënin një inovacion në artin e luftës, jo vetëm në kontekstin shqiptar, por edhe në krahasim me mënyrat tradicionale të luftës, të paktën në Ballkan. Deri në atë kohë, luftërat në Ballkan (si ato ballkanike 1912–1913, edhe Lufta e Parë Botërore) zhvilloheshin në front, me vija të qarta përplasjesh, komanda të ngurta dhe me qëllim përfundimtar shkatërrimin dhe asgjësimin fizik të armikut. Në ndryshim, në Luftën për Vlorën, strukturat shqiptare nuk krijuan një front të ngurtë, por përdorën forca të përhapura, sulme të befasishme, shfrytëzim të terrenit që e njihnin shumë mirë dhe kryesisht nga lart-poshtë, mbështetje lokale dhe lëvizshmëri të lartë. Ato u organizuan në baza komitetesh vendore. Mënyrat, format dhe mjetet taktike të decentralizuara i shërbenin një strategjie të përcaktuar: forcat italiane të detyroheshin të tërhiqeshin.

Ndryshe nga koncepti i Luftës së Parë Botërore, ku sundoi planifikimi ushtarak mbi atë politik, Lufta për Vlorën u konceptua dhe u realizua si një luftë e integruar politike-ushtarake. Fitorja në Luftën për Vlorën nuk u formalizua si në luftrat ballkanike, as si në Luftën e Parë Botërore, fundin e të cilave ose vendosnin ushtarakët e dy apo më shumë palëve, ose e diktonin Fuqitë e Mëdha. Përkundrazi, fundi i Luftës për Vlorën u vendos në Traktatin e nënshkruar në Tiranë midis dy palëve politike të pleksura ushtarakisht: shtetit shqiptar dhe shtetit italian.

Ishte fitore ndaj njerës nga katër fuqitë fituese në atë luftë botërore, në kushtet kur forcat italiane ishin njësi të mirëfillta ushtarake, me organizim klasik dhe armatim përkatës, ndërkohë që forcat shqiptare ishin forca vullnetare, me organizim të improvizuar aty për aty. Natyrisht që fitoren e ndikuan taktikat, strategjia dhe morali superior i forcave shqiptare. Krijimi prej tyre i gjëndjes së rrethimit mbi dymujor ndaj forcave italiane ishte përdorim mjeshtëror i kohës në funksion të hapësirës: parimet e luftës e përcaktojnë qartë se nuk mund të ketë qëndresë të përhershme në kushte rrethimi të plotë, përderisa edhe nga deti ishte ndërprerë mbështetja logjistike! Sigurisht që, në ekuacionin e fitores në Luftën për Vlorën patën pjesën e tyre edhe kriza politike brenda Italisë, presioni ndërkombëtar, gjëndja e rënduar shëndetësore e trupave italiane (rreth 60% të prekur nga malarja) dhe shthurja morale e tyre, të cilat i detyruan autoritetet italiane të pranonin armëpushimin dhe tërheqjen nga Vlora me kushtet që u përcaktuan në Traktatin e Tiranës, një kapitullim politik dhe strategjik, përderisa Italia u detyrua të njohë zyrtarisht pavarësinë dhe sovranitetin e Shqipërisë.

  1. Fati i Vlorës po, por jo i Ishullit të Sazanit

Traktati i Tiranës do të hynte në fuqi në 5 Gusht 1920, por tërheqja e plotë e trupave italiane nga qyteti i Vlorës përfundoi më 3 shtator 1920. Ndërkohë, Italia mbajti Ishullin e Sazanit, të cilin Traktati nuk e referonte në mënyrë eksplicite në klauzola. Kompromis diplomatik nuk mund të ishte, sepse kompromisi bëhet kur sicila nga palët zotëron të paktën diçka në dorë për imponim, jo kur nuk ka asgjë në dorë. Pala shqiptare nuk kishte fare asnjë forcë detare dhe kështu nuk e impononte dot Sazanin për kompromis. Ndërkohë, pala italiane kishte dominancë absolute në det dhe kështu nuk kishte nevojë fare për kompromis. Pala italiane shfrytëzoi edhe mungesën e referimit, edhe dominancën e saj absolute në det. Duke mbajtur Ishullin, Italia realizonte, në fakt, interesin thelbësor strategjik të saj: zotërimin e Ngushticës së Otrantos. Ndërkohë edhe fuqitë e mëdha aleate fitimtare në Luftën e Parë Botërore nuk u ndien: kur këtë mision nuk e realizonte dot Shqipëria, më mirë ta realizonte Italia si aleat i tyre, sesa të tolerohej një vakuum fuqie, të cilin me siguri do të synonin ta mbushnin fuqi armiqësore të tyre.

  1. Përfundime

Për të parën herë në historinë e tyre shqiptarët ndjenë se shtërzimet e tyre kolektive ndihmuan në një farë shkalle për të përcaktuar të ardhmen e tyre, duke provuar që ata nuk ishin më vetëm gurë shahu në lojërat politike e diplomatike të shteteve më të fuqishme (Bernd J. Fischer, Oliver Jens Schmitt). Për të parën herë u gërshetuan legjitimiteti i institucionit përfaqësues të shtetit me faktin e kryer në terren dhe mbështetjen diplomatike e morale nga aleatët e mëdhenj. Por cili ishte faktori më vendimtar?

Secili prej tyre kishte peshën e vet dhe të tre ishin të ndërlidhur.

Mbështetja diplomatike dhe morale nga Presidenti Amerikan ishte e domosdoshme, por jo e mjaftueshme. Ajo nuk u bashkëplotësua me forcë veprimi, ndërkohë që Senati amerikan refuzoi Traktatin e Versajës. Vetë Presidenti Uilson në 2 tetor 1919 pësoi një ishemi të rëndë. Ndikimi i SHBA-ve në Europë ra ndjeshëm. Për më tepër, Shqipëria nuk kishte përfaqësim zyrtar në Konferencë.

Kongresi i Lushnjës ishte një akt i fuqishëm i vullnetit politik shqiptar. Ai shpalli pavarësi efektive të Shqipërisë, vendosi Tiranën si kryeqytet, refuzoi protektoratin italian dhe më e rëndësishmja: krijoi një qeveri të re shqiptare me legjitimitet kombëtar. Kongresi e ktheu Shqipërinë nga një objekt i diplomacisë ndërkombëtare në një subjekt aktiv politik dhe ushtarak. Traktati i Tiranës i 2 gushtit 1920 është marrëveshja e parë ndërkombëtare e nënshkruar nga një qeveri legjitime shqiptare me një fuqi të huaj.

Faktori i tretë për nga radha kohore, Lufta për Vlorën, u shndërrua në një përballje ushtarake direkte kundër forcave italiane që kishin pushtuar jo vetëm qytetin simbol të Shqipërisë, por edhe një pjesë të Shqipërisë Jugperëndimore. Lufta për Vlorën konfirmoi postulatin e famshëm taktik të “fait accompli” (faktit të kryer në terren përpara se sa të nisen negociatat diplomatike) – një faktor që i shërbeu qeverisë së dalë nga Kongresi i Lushnjës për të mbështetur presionin diplomatik ndaj Italisë. Kjo ishte një arritje madhore. Shqiptarët, asnjëherë më përpara nuk kishin shkuar në negociata diplomatike mbi bazën e praktikës së faktit ushtarak të kryer në terren.

Ndërsa u përfshinë tre aktorë në lidhje e ndërveprim pothuajse të strukturuar, me peshën përkatëse kushtëzuese ndaj njeri-tjetrit, Kongresi i Lushnjës rezulton të jetë faktori vendimtar: në raport me ndërkombëtarët i krijoi Shqipërisë statusin e një subjekti ndaj të cilit adresohej mbështetja diplomatike e Presidentit Amerikan, ndërsa, nga ana tjetër, i siguroi Luftës për Vlorën bazën politike, legjitimitetin shtetëror, përkrahjen dhe mbështetjen institucionale. Ekzistenca, legjitimiteti dhe funksionimi i shtetit përmes institucioneve përbëjnë themelin, vijën e parë dhe më të rëndësishme të mbrojtjes.

Share

Leave a comment

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Related Articles

Sot u përkujtua me nderim dhe respekt akti i 68 vajzave partizane fierake

Një faqe unike në historinë e LANÇ-it u përkujtua sot në Fier....

Gaspër Marku një jetë e tërë në shërbim të gazetarisë sportive

Në historinë e gazetarisë sportive shqiptare, emri i Gaspër Markut zë një...

Shoqëria, shteti dhe e drejta pse nuk mund të ndahet njeriu prej tyre

Që nga momenti kur njeriu shfaqet si qenie e arsyeshme, ai nuk...

Fier – Zjarr pranë Drejtorisë së Bujqësisë, reagim i shpejtë i policisë dhe zjarrfikëses

Misionarët katolikë në Fier kanë njoftuar policinë pas rënies së një zjarri...