Prej rreth dy dekadave , Kristiana Veliu, kryetare e Shoqatës “Emigranti” në qytetin bregdetar të Patrës, ka qenë një nga figurat më të përkushtuara të komunitetit shqiptar në Greqi.
Puna dhe angazhimi i saj i vazhdueshëm kanë ndihmuar në ruajtjen e identitetit kombëtar, përkrahjen e emigrantëve dhe forcimin e lidhjeve mes diasporës dhe atdheut.
Nën drejtimin e znj. Veliu, Shoqata “Emigranti” është shndërruar në një qendër aktivitetesh kulturore e shoqërore që ka bashkuar me qindra familje shqiptare. Falë saj, në Patra funksionon prej 18 vitesh shkolla shqipe “Naim Frashëri”, ku fëmijët e emigrantëve mësojnë gjuhën dhe historinë e vendlindjes së prindërve të tyre, FALAS.
Përveç edukimit, shoqata ka organizuar koncerte, ekspozita, promovime, përvjetorë kombëtarë dhe fushata humanitare, duke sjellë në qendër të vëmendjes vlerat shqiptare dhe solidaritetin mes bashkëatdhetarëve.
Kristiana Veliu është bërë një zë i fuqishëm i komunitetit shqiptar, duke përfaqësuar me dinjitet interesat e emigrantëve pranë institucioneve vendase greke dhe autoriteteve shqiptare.
“Të jesh emigrant, nuk do të thotë të harrosh rrënjët.
Do të thotë t’i ruash ato me krenari, kudo që të jetosh,” është shprehur Veliu në një nga aktivitetet për Ditën e Pavarësisë.
Kontributi i saj është vlerësuar nga bashkatdhetarët si një shembull i gjallë i gruas shqiptare aktive në diasporë, që punon me pasion e përkushtim për të mbajtur gjallë kulturën, gjuhën dhe traditat shqiptare në një vend mikpritës si Greqia.



Leave a comment