Gjykata Kushtetuese ka pezulluar përkohësisht vendimin e Gjykatës së Posaçme (GJKKO) që ndalonte nga detyra zv/kryeministren Belinda Balluku, por ky zhvillim nuk ndikon në hetimet penale të nisura nga SPAK. Burime juridike konfirmojnë se vendimi i Kushtetueses ka efekt vetëm mbi masën e pezullimit nga funksioni dhe nuk prek ecurinë e dosjes penale. Sipas ekspertëve, SPAK vijon normalisht hetimet për tenderat me vlerë të lartë, pjesë e dosjes ku Balluku është nën hetim. Masa e vendosur nga Kushtetuesja konsiderohet “administrative dhe e përkohshme”, ndërsa prokuroria e posaçme mbetet kompetente për të çuar çështjen deri në fund.“Vendimi i Gjykatës Kushtetuese nuk prish asnjë element juridik të hetimit. Procedura penale dhe provat vijojnë të trajtohen sipas ligjit”, deklarojnë burime brenda sistemit të drejtësisë. Balluku rikthehet përkohësisht në detyrë deri në shqyrtimin përfundimtar të çështjes në Kushtetuese, ndërsa GJKKO dhe SPAK vazhdojnë punën për dosjen, e cila pritet të jetë ndër më të rëndësishmet në bilancin e luftës ndaj korrupsionit. Hetimet mbeten aktive dhe në pritje të zhvillimeve të mëtejshme proceduralo-gjyqësore.

Leave a comment