Seanca e sotme plenare, e cila duhej të shënonte prezantimin e programit qeverisës “Shqipëria 2030”, u kthye në një arenë përplasjesh e britmash, ku opozita zgjodhi të shfaqë një skenë kaotike përpara trupit diplomatik dhe qytetarëve shqiptarë.
Zv.Kryeministrja Belinda Balluku, në vijim të fjalës së saj në Kuvend, reagoi duke theksuar se sjellje të tilla të opozitës dëmtojnë imazhin e parlamentit dhe pengojnë një proces thelbësor për jetën demokratike të vendit.
“Nuk quhet dialog parlamentar kur në vend të fjalës, përdoren britma, përplasje tavolinash apo shishe plastike në ajër. Nuk është kjo opozita që meriton Shqipëria, as opozita që duhet të përfaqësojë vendin në tryezën e negociatave me Bashkimin Europian,” u shpreh Balluku.
Sipas saj, për herë të parë në këto 30 vite, programi qeverisës nuk u prezantua në mënyrë të plotë përpara deputetëve, për shkak të ndërprerjeve të vazhdueshme. Megjithatë, shumica vendosi të miratojë menjëherë programin për të mos humbur kohën e qytetarëve.
Partia Socialiste dhe Qeveria Shqiptare mbeten të angazhuara e me përgjegjësi të plotë për ta çuar përpara vizionin Shqipëria 2030. Do të vijojmë me projekte të reja, investime dhe kantiere zhvillimi, për të përmirësuar jetën e çdo qytetari shqiptar,” nënvizoi Zv.Kryeministrja.
Balluku theksoi se mazhoranca është e vendosur të mos lejojë që retorikat boshe dhe përfitimet personale të disa eksponentëve partiakë” të zvarrisin punën e qeverisë. Objektivi, sipas saj, mbetet i pandryshuar: integrimi europian dhe zhvillimi i qëndrueshëm i Shqipërisë.
Leave a comment