Dieta mesdhetare është e njohur si një trashëgimi jomateriale e njerëzimit nga UNESCO më 16 nëntor 2010. Në vendimin për njohjen e saj nuk renditet vetëm një listë e thjeshtë e ushqimeve, por edhe mënyra e jetesës me traditat e kultivimit, gatimit, mënyrën e konsumimi të ushqimit, me vlerat e mikpritjes dhe fqinjësisë, të cilat kombinohen me kultivimin e produkteve lokale. Në përbërjen e dietës mesdhetare përfshihen konsumimi i drithërave, i frutave dhe perimeve, vaji i ullirit, erëzat, bishtajoret, në një masë më të vogël produktet e qumështit dhe vezët, peshku blu dhe pak mish, kryesisht i bardhë. Tipare të rëndësishme të dietës mesdhetare janë edhe konsumimi i kontrolluar i verës së kuqe, i çajrave bimore dhe hidratimi i mjaftueshëm me ujë natyral. Klima mesdhetare e vendit tonë favorizon rritjen e frutave dhe perimeve në stinë të ndryshme, kultivimin e rrushit dhe prodhimin e verës, vaji i ullirit ka prodhim dhe përdorim të gjerë, mikpritja është traditë e vjetër që asnjëherë nuk zbehet në shoqërinë tonë. Për sa më sipër, mund të them se tradita e kuzhinës shqiptare përafron me kuzhinën mesdhetare dhe ne kemi të drejtë dhe të gjitha mundësitë për ta promovuar e praktikuar. Studiues të ndryshëm thonë se Dieta Mesdhetare është një filozofi e jetës që vjen nga e kaluara dhe mund të na çojë drejt një të ardhme të shëndetshme, të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse. Promovimi i kësaj diete meriton vëmendje për vlerën dhe rëndësinë që merr edhe përballë sfidës ndaj ndryshimeve sociale dhe klimatike. Kjo dietë ka një ndikim më të ulët mjedisor për shkak të konsumit të shumë ushqimeve të freskëta dhe të papërpunuara. Gjithashtu, sigurimi i një diete të shëndetshme dhe të qëndrueshme për të gjithë, si dieta mesdhetare, do të thotë investim në uljen e kostove të kujdesit shëndetësor, të cilat vijnë nga sëmundjet e shkaktuara nga zakonet e pashëndetshme të të ngrënit.
Leave a comment