Nga Newslibero.com
Rasti i fundit në Durrës, ku një turiste italiane 18-vjeçare u përdhunua nga një 28-vjeçar shqiptar me precedent penal është bërë lajmi kryesor në median italiane, ndërsa ka rikthyer në vëmendje një problem të thellë, pse jo edhe të anashkaluar në shoqërinë shqiptare: mungesën e edukimit sentimental.
Në Shqipëri edukimi shpesh përqendrohet në lëndët tradicionale dhe zhvillimin e aftësive kyçe , duke neglizhuar rëndësinë e edukimit të të rinjve për menaxhimin e emocioneve te tyre dhe për respektim të emocioneve të tjetrit. Kjo mangësi nxit sjellje të dhunshme dhe qëndrime agresive, veçanërisht edhe kur mungojnë modelet pozitive.
Ky fakt që përmendëm, nuk është një përpjekje për të justifikuar aktet e dhunës, por një thirrje për të kuptuar se parandalimi i dhunës duhet të fillojë nga rrënjët, me një kulturë të re edukimi, që e vendos empatinë dhe përgjegjësinë emocionale në qendër të formimit të individit.
Për të luftuar fenomenin shqetësues të dhunës seksuale është jetike që institucionet dhe shoqëria shqiptare të ndërtojnë programe edukative që nxisin ndërgjegjësimin, respektin për kufijtë personalë, kulturën e konsensusit.
Edukimi sentimental,nuk është luks, është një domosdoshmëri për një shoqëri më të drejtë, më të sigurt dhe më humane.
Dhuna ndaj grave nuk është një çështje private,por është një emergjencë kombëtare dhe përgjigja më e fuqishme ndaj saj është parandalimi përmes edukimit.
Leave a comment