Nga Doris Madhi, Këshilltare Bashkiake, Elbasan
Në një kohë kur qyteti i Elbasanit nuk ka qenë kurrë në gjendje më të mjerueshme infrastrukturore për shkak të punimeve të tejzgjatura të UKE, kur çmimi i ujit të pijshëm, që realisht është i papijshëm është rritur me 80% , kur varfëria mbizotëron qytetin e apatia mbyt është i papranueshëm përdorimi i halleve të Elbasanit për të bërë opozitë fasadë. Krijon konfuzion, teatër me aktorë të dobët e deri diku dhe ilaritet për nivelin e artikulimit gjuhësor e mungesës së argumentit juridik trajtimi i çështjeve të mprehta për qytetin në atë që duhet të ishte tempulli i të drejtave të qytetarëve, të kthyer sot në cirk me pjesëmarrjen e opozitës, që kapet pas mustaqeve të Çelos e harron që mënxyrat ndodhin në terren. Më vrau veshin në seancën plenare të së enjtes së shkuar pyetja që deputetja Elbasanit i drejtoi kreut të KLSH nëse ka referuar ne SPAK shkeljet e konstatuara në Bashkinë Elbasan nga projekt-raporti që daton dy vite para (shënim i autorit). Bën përshtypje naiviteti i pyetjes së sugjeruar në mungesë informacioni real mbi funksionimin e institucionit të KLSH dhe shkeljeve reale të konstatuara në raportin e këtij të fundit. Fillimisht, vlen për tu theksuar se kreu i KLSH propozohet nga Presidenti i Republikës dhe miratohet e zgjidhet nga Parlamenti. Këtu lind natyrshëm logjika e mungesës së pjesshme të autonomisë së këtij institucioni apo fuqisë për të çuar pas hekurave zyrtarë të lartë siç janë Kryetari i Bashkisë apo N/Kryetarja, që kam përshtypjen u sulmua tërthorazi nga kjo pyetje, meqë sot është deputete e RSH nën siglën e Partisë Socialiste. Kontrolli i Lartë i Shtetit jep indicie në hetim, ndaj shumë pastër e drejtpërdrejt mund t’i kërkohej llogari kreut të SPAK se pse nuk ka nisur hetime për Bashkinë Elbasan, kur referoi para komisionit të ligjeve pak javë më parë. Pse nuk ndodhi kjo?! Me siguri, përgjigja që do merrnin do ishte që BKH ka zbarkuar disa herë në Bashkinë Elbasan duke sekuestruar kompiutera e aparatë celularë, fill pas raportit të KLSH. Sigurisht, janë indicie të marra të cilat mund të mos bëhen publike për arsye sekreti hetimor, që duhet mirëkuptuar juridikisht e praktikisht nëse ke diligjencën ta bësh. Mungesa informacionit se çfarë ndodh në qytetin ku je zgjedhur është po aq e pafalshme sa mungesa e përçimit të saktë të informacionit nga kolegu që të sugjeroi të drejtoje pyetjen, i cili, si ish këshilltar bashkiak ishte plotësisht në dijeni të faktit se BKH ushtroi kontrolle në Elbasan. Meskiniteti i sulmeve personale të deputetëve të PD-PS ndaj njëri tjetrit, ndërkohë që deri dje kanë ndarë besimin në financat e përbashkëta del dukshëm në sipërfaqe. Pse kjo inisiativë (denoncimi në SPAK) nuk merret nga grupi i deputetëve të Elbasanit apo zonja në fjalë që zotëron plotësisht tagrin dhe supozohet dhe përgatitjen profesionale të kryejë denoncimin?! Pse deputetët e Elbasanit dhe zonja në fjalë nuk u shqetësuan një herë të vetme për problemet reale të Elbasanit, nuk paraqiten as në një mbledhje të vetme të Këshillit Bashkiak për të suportuar grupin opozitar?! Ku ishin kur çmimi i ujit u rrit me 80%, kur u ngrit Komisioni Hetimor për vdekjen aksidentale të një punonjësi të Bashkisë, kur koefiçienti i ndërtimit në zonën e Stadiumit u rrit 10 fish, sepse vetë Kryetari ka ndërtuar në zonë dhe dosja e përgatitur për të fle në një sirtar?! Opozita do këllqe, do transparencë e trimëri për t’u bërë, ndaj këto patetizma me pyetje të hedhura qorrazi janë të tepërta për këdo që jeton në qytetin e Elbasanit, dikur i luleve dhe i dijes, tani i baltës e injorancës! Nën petkun e këshilltares bashkiake opozitare kërkoj bashkim forcash e bashkëpunim, jo meme të gatshme e të pambrojtshme para publikut! Në të kundërt, ndërroni argument e na lini ta mbrojmë vetë Elbasanin siç kemi bërë deri tani, me argumente ligjore, vendosmëri, artikulim e mbi të gjitha trimëri edhe përballë kostove të mëdha!
Leave a comment