Shkodër, 9 nëntor 2025 Në qytetin e artit dhe kulturës, Shkodra, u zhvillua me shumë sukses Festivali i V Mbarëshqiptar i Poeteshave, një ngjarje që mblodhi rreth vetes krijuese të fjalës së bukur nga të gjitha trevat shqiptare. Poeteshat u bashkuan si një “buqetë aromëmira” që sollën vargje plot ndjenjë, dashuri dhe frymëzim.
Në këtë atmosferë të mbushur me emocion e art, çmimin e parë e rrëmbeu Elmira Rama nga Patosi, me një poezi që preku jurinë dhe publikun për thellësinë e ndjenjës, forcën e mesazhit dhe mjeshtërinë artistike. Juria profesionale, e përbërë nga Denata Rroji, Viktor Gjikolaj dhe Demir Rusi, pas një përzgjedhjeje të kujdesshme midis 30 krijimeve poetike, dha këto vlerësime:
Vendi i parë: Elmira Rama-Patos
Vendi i dytë: Meri Mezini Tiranë dhe Valbona Kolaveri Shkodër
Vendi i tretë: Anila Mihaili Përmet dhe Nurie Baduni Tiranë
Ndërkohë, Lëvizja “Gratë frymojnë vlera” akordoi Vlerësime Speciale për krijimtari dhe mesazhe frymëzuese për:
Lindita Halili – Shkodër
Merita Kuçi – Durrës
Surpriza më prekëse e mbrëmjes ishte interpretimi i vogëlushes Melisa Halili nga Dibra, e cila emocionoi të pranishmit me recitimin e saj. Festivali u shoqërua nga performanca të bukura në piano dhe kitarë, ndërsa këngëtarja e mirënjohur Lulka Merkulaj ndezi sallën me zërin e saj, duke bërë që publiku të këndonte bashkë me të. Në këtë aktivitet morën pjesë personalitete të njohura të letrave shqipe si Nuradin Imeraj, kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Istogut, i shoqëruar nga TV Fontana me gazetarin Zeqir Mehmetaj, si dhe Ilmi Kurti, kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Malësisë së Madhe.
Kurora e suksesit i takoi moderatores Kozeta Bruçi, e cila me profesionalizëm dhe finesë i dha festivalit një atmosferë të ngrohtë e festive.
Ky ishte një festim i poezisë femërore shqiptare, i ndjenjës, i fjalës dhe i shpirtit që bashkon trevat në një gjuhë të vetme: atë të artit dhe dashurisë.
Leave a comment