Nga Arkitekt Pëllumb Dervishi
Ka një moment në jetën e çdo arkitekti kur projekti më i madh që përballon nuk është një godinë e re, por rindërtimi i një marrëdhënieje me qytetin – siç ishte, siç është, dhe siç do të donim të ishte.
Kam jetuar në Durrës nga mosha dy deri në pesë vjeç, në vitet 1957–1960. Fëmijëria ime ka për ndalesë Bulevardin e vjetër me godinat klasike që niseshin nga Bashkia dhe përfundonin në Port. Ishin vite të varfërisë materiale, por të pasurisë shpirtërore urbane. Mbrëmjeve, shëtisja me gjyshen nëpër shesh, freskoheshim tek shatërvani – një detaj modest, por i paharruar. Ai shatërvan nuk ekziston më. As ajo shëtitje. Janë zhdukur. Jo thjesht për shkak të kohës, por për shkak të vendimeve të ndërhyrjeve të verbra urbane.
Rilindja Urbane, në emër të përmirësimit estetik, shpesh ka fshirë nga faqja e qytetit jo vetëm objekte, por kujtime. Dhe një qytet pa kujtesë, është një qytet pa identitet.
Pas Durrësit, jeta më çoi në Vlorë. Shëtitorja “Skele” ishte dikur një park skulpturor me palmare, trëndafila, shatërvane të vegjël. Një qytet që frymonte Mesdhe. Sot, ajo ndjesi është tretur. Aty ku dikur eci i lirë midis gjelbërimit dhe artit publik, tani ngrihen struktura të shpejta, forma të ftohta, dhe të njëjtat “zgjidhje” që ndodhin paralelisht në të gjitha qytetet shqiptare.
Si arkitekt, nuk mund të rri i heshtur. E ndjej qytetin jo vetëm si vendbanim, por si trup emocional kolektiv, ku çdo ndërtim i ri duhet të ruajë një lidhje me atë që ka qenë, me njeriun që ka kujtime, me hapësirën që nuk është vetëm pronë, por memorie.
A po ndërtojmë apo po shkatërrojmë?
Investitorët marrin leje ndërtimi, në përputhje me ligjet. Por shpesh këto ligje nuk e masin ndikimin shpirtëror të ndërhyrjes.
Ne ndërtojmë gradaçela, por prishim horizontin. Ngremë sheshe “moderne”, por zhdukim identitetin.
Qytetet shqiptare – si Durrësi dhe Vlora – nuk po zgjerojnë kujtesën e tyre; përkundrazi, po ndërtojnë një amnezi kolektive urbane.
Nga Ismail Qemali te sot: një dorë e fortë mbi qytetin
Nga Shteti i Pavarur me Ismail Qemalin, tek Mbretëria e Zogut, diktatura e Enver Hoxhës, dhe deri te tranzicionet e Demokracisë me Sali Berishën, Fatos Nanon, e Edi Ramën – qeverisjet shqiptare kanë ndërtuar me dorë të fortë, por rrallëherë kanë dialoguar me popullin e qyteteve.
Arkitektura jonë politike – siç e quaj unë – nuk ka qenë arkitekturë e butësisë, e kujdesit për detajin, por shpesh është bërë mjet imponimi, jo ndërtimi të qëndrueshëm.
Cili është roli ynë si profesionistë?
Ne, arkitektët, urbanistët, inxhinierët – nuk duhet të jemi thjesht zbatues të dëshirave të tregut apo të pushtetit vendor. Ne jemi dëshmitarë të historisë së qytetit dhe duhet të jemi avokatët e kujtesës kolektive.
Sot nuk po na mungojnë ndërtimet. Po na mungon qyteti.
Arkitekt Pëllumb Dervishi
Durrës, Vlorë, Tiran!
Korrik 2025
Leave a comment