Nga Mimoza Rexhvelaj
✍ E dashur Evi,
Ka fraza që duhen shkruar në errësirë, jo të thuhen me zë të lartë. Ka ambicie që nuk kanë as peshën, as ndershmërinë për t’u quajtur politike dhe mbi të gjitha, ka disa emra të shenjtë, që nuk mund t’i përmendësh si të ishin stoli që lëvizin nga një qafë në tjetrën, sipas modës apo tekës.
Partia Demokratike është një emër i tillë.
Të flasësh për PD-në me ton pronësie, që nuk i shkon as një pazari lagjeje, është jo vetëm fyerje për çdo demokrat të ndershëm, por është edhe shuplakë për çdo shqiptar, që e di se çfarë ka përfaqësuar ajo parti në momentet më të errëta të historisë sonë.
E vërteta është kjo: PD nuk është as valixhe që mbahet në dorë, as vula që vulos pushtetin e askujt.
Ajo është sakrifica e një brezi, që la shkollat, karrierat, shtëpitë, për të ngritur një mur përballë diktaturës.
Ajo është zëri i të burgosurve politikë, i të përndjekurve, i atyre që nuk kërkuan asgjë për vete, por besuan se edhe Shqipëria meriton liri.
Ajo është djersa e atyre që nuk patën para, por patën kurajo për t’u përballur me sfidat.
Unë nuk mund ta kuptoj si, dikush që nuk ka jetuar asnjë ditë atë betejë, i flet publikut me një lehtësi, që të lë pa fjalë…
Flet për “marrje me hir a me pahir”, si të ishte një plan marketingu, ose një pagesë që s’u përmbush.
Jo, zonjë. Nuk funksionon kështu. Nuk merret me pahir ajo që është ngritur me hirin e mundit dhe të përkushtimit njerëzor.
Në emër të kësaj partie kemi sakrifikuar jetën tonë. Kemi shkatërruar karrierat. Kemi vënë në rrezik sigurinë e familjes dhe më e rënda, kemi duruar heshtur mizoritë e padrejtësive politike vetëm, që kjo parti të mbijetojë si një shpresë.
Të thuash tani që PD duhet t’i dorëzohet dikujt, qoftë edhe “jo Shkëlzenit” siç e ke formuluar, tregon se për ty kjo nuk është një betejë parimesh, por një betejë për fron dhe kush lufton për fron, nuk e do popullin. E përdor atë.
Kështu nuk ndërtohet e ardhmja. Kështu rishkruhet historia me dorën e gabuar dhe i shtohet një gabim më shumë.
PD-ja ka nevojë për frymë, jo për rrëmbim. Për ide, jo për plaçkitje. Për mendimtarë, që e çojnë më tej identitetin e saj, jo për njerëz që e shohin si dekor për karrierën personale.
Nëse PD-ja është akoma në këmbë, është ngaqë nuk e ka marrë askush me pahir.
Ka qëndruar sepse e kemi mbrojtur me hir, me moral dhe me bindje.
Nëse ka një betejë për ta shpëtuar, ajo nuk është mes kujt do ta marrë.
Është mes atyre që e duan për çfarë është dhe atyre që e duan për çfarë mund të bëjnë me të.
Ky është dallimi midis njeriut të ideve dhe njeriut të ambicieve bosh…
Leave a comment