Editorial: për Zoja Lohaj Konjufca!
Nga: newslibero.com
Në vendin tonë, ka vite që arsimi nuk është më prioritet. Ai është bërë thjesht një rresht në buxhet dhe një fushë betejash politike, ku nxënësit shndërrohen në statistika dhe mësuesit në administrues dëshpërimi. Në këtë gjendje të përgjumur kolektive, guximi i një gruaje Zoja Lohaj Konjufca u bë akti më domethënës që ka ndodhur në arsim prej vitesh: ajo refuzoi të mësojë në një objekt shkollor që kërcënonte jetën e fëmijëve.
Në një gjimnaz të Ferizajt, ku 1 300 nxënës mësonin në kushte poshtëruese pa ngrohje, me myk, me tualete të dëmtuara dhe tavane që pikonin – një mësuese matematike vendosi të thotë “boll më.” Refuzoi të japë mësim, jo për pagë më të madhe, jo për ndonjë përfitim personal, por për dinjitetin e nxënësve të saj. E bëri këtë duke e ditur që ndoshta do të përballej me presion institucional dhe me një opinion publik të plogësht, që është mësuar ta kalojë çdo padrejtësi me “le të kalojë edhe kjo.”
Por Zoja nuk heshti. Dhe kjo është e jashtëzakonshme.
Sepse sistemi arsimor që kemi, nuk është vetëm i rrënuar fizikisht – ai është i rrënuar moralisht. Ne po rrisim fëmijë të lodhur, të papërgatitur për jetë, të mësuar me një shkollë që nuk i mëson as vetërespektin, as mendimin kritik. Po rrisim adoleshentë që gjithnjë e më shpesh janë të dhunshëm – verbalë, fizikë, emocionalë – sepse sistemi u mëson heshtjen, nënshtrimin dhe pabarazinë. Dhe më pas shoqëria habitet pse ka aq shumë mllef nëpër rrugë, rrjete sociale apo familje.
Kemi ndërtuar një sistem që nuk është i fëmijëve, por i partive. Arsimi është katandisur në platformë punësimesh, përfitimesh politike dhe heshtje të dirigjuar nga lart. Mësuesit janë lodhur. Prindërit janë të paorganizuar. E fëmijët? Ata janë lënë të bëjnë si të dinë, pa rregulla, pa mbështetje emocionale, pa model pozitiv për t’u ndjekur.
Dhe pikërisht në këtë realitet të zymtë, ngrihet një grua – një mësuese dhe thotë: “Jo.”
Ajo nuk ishte vetëm një punonjëse që kërkonte kushte më të mira. Ishte një qytetare që ngriti zërin për fëmijët. Ishte një feministe që e dinte që fuqia nuk qëndron vetëm në fjalë të bukura, por në veprim. Ajo na tregoi se gratë, sidomos në arsim, kanë potencialin të ndryshojnë rrënjësisht rrjedhën e shoqërisë – nëse u jepet hapësirë dhe nëse u bashkohemi.
Por ajo nuk u ndoq nga turma. Vetëm 12 prindër u paraqitën në mbledhjen ku duhej të diskutohej për gjendjen alarmante të shkollës. Heshtja nuk ishte vetëm institucionale – ishte shoqërore. Dhe kjo është tragjedia e madhe: që kur dikush guxon të reagojë, nuk i bashkohemi. Ia lëmë vetëm barrën e ndryshimit.
E megjithatë, ajo arriti atë që duhej të kishte ndodhur vite më parë: ndërtimin e një objekti të ri shkollor. Jo falë partive. Jo falë ndonjë projekti me logo donatorësh. Por falë zërit të saj. Ky është momenti kur një akt i vogël bëhet revolucionar.
Sot, ajo nuk është më në klasë. Por veprimi i saj do të mbetet leksion për ne të gjithë. Sepse në vendin tonë, mësimdhënësit e vërtetë nuk janë ata që mësojnë vetëm lëndën. Janë ata që mësojnë që zëri yt ka rëndësi. Që dinjiteti i fëmijës është i panegociueshëm. Që një grua që guxon, mund të përmbysë gjithë apatinë e një qyteti të tërë.
Zoja Lohaj Konjufca nuk është vetëm një mësuese që protestoi. Ajo është kujtesa jonë se në këtë vend, akoma ka njerëz që nuk e kanë humbur ndjeshmërinë për të ardhmen. Dhe kur kjo ndjeshmëri vjen nga një grua, nga një mësuese, nga një nënë atëherë nuk ka më asnjë arsye për të heshtur.
Leave a comment