Nga: Mimoza Rexhvelaj!
Redaksia: Kulturore për NewsLibero.com.
Kur “më fal” nuk thuhej me ironi, por me pendesë të vërtetë. Vij nga një kohë kur njerëzit ndihmonin pa fatura, përqafonin pa frikë dhe ndanin pa llogaritje.
Besoj në vlerat e familjes, jo si një strukturë formale me një mbiemër të përbashkët, por si trung ku rrënjët nuk treten në egoizëm, ku dashuria nuk është me kushte dhe sakrificat nuk përmenden nëpër kafene.
Kam parë prindër, që nuk dinin të shprehnin dashurinë me fjalë, por e vendosnin në pjatë, e qepnin në këmishë, e mbulonin me batanije natën.
Kam parë fëmijë, që nuk pyesnin për pronat, por e ndanin kafshatën e fundit me nënën, që kishte harruar veten…
Ende besoj në mirësinë, që nuk bërtet për medalje, që nuk reklamohet, që ndodh në heshtje. E di që sot kjo tingëllon si dobësi.
Madje edhe miqtë ta thonë: “Mos u bë kaq e mirë, se të përdorin.” Por unë nuk ndryshoj rrënjët e mia për të qenë më “e fortë”. E fortë jam pikërisht sepse nuk lejoj që bota të më shndërrojë në kopjen e vet të zhgënjyer.
Ndershmëria është një tjetër relike, që e mbaj me vete si amanet edhe pse shpesh e paguaj shtrenjtë. Në një botë ku mashtrimi quhet zgjuarsi,ndershmëria është rebelim.
E megjithatë, unë nuk di të jem ndryshe. Nuk di të përfitoj në kurriz të tjetrit. Nuk di të vesh maska të ndryshme për çdo tavolinë dhe ndoshta kjo më ka kushtuar shumë… por më ka mbrojtur shpirtin.
Besoj ende në respekt. Jo tek ai që është i imponuar nga titujt ose pushteti, por tek ai që rrjedh nga vetëdija se para teje ke një njeri, me plagët, frikërat, betejat dhe dinjitetin e vet.
Nuk e ofendoj një të dobët për t’u ndjerë më e fortë. Nuk shkel mbi një të rrëzuar për të u ngjitur më lartë, sepse më është mësuar se mënyra si sillesh me ata që s’të japin gjë, tregon kush je vërtetë.
Mos ma vini re pra, nëse nuk përshtatem në këtë epokë të zhurmshme, të shpejtë, të zbrazët, që kërkon me çdo kusht të na tjetërsojë dhe kur se arrin na quajnë “demode”.
Nuk jam kundër zhvillimit, teknologjisë, botës moderne, por jam kundër ftohtësisë që po bëhet normë. Kundër sipërfaqësisë që zëvendëson thellësinë. Kundër sukseseve, që ndërtohen mbi braktisje, mbi pabesi, mbi urrejtje.
Nëse më thoni se jam nga një kohë tjetër, unë e pohoj me krenari. Më mirë të jem e vjetruar në mendime dhe me vlera, sesa moderne pa shpirt.
E nëse kjo më bën të dallohem… nuk kam frikë.
Unë s’kam ardhur në këtë botë për të humbur në turmë, por për të kujtuar me zë të qetë se jeta është më shumë se fasadë. Se njeriu është më shumë se një emër mbiemër në këtë botë, qoftë reale, a virtuale, se lumturia nuk matet me klikime, por me ndjenjën që nuk të lë të flesh gjumë kur ke gabuar…
Me ndërgjegjen që flet më fort se fama.
Mua nuk më vjen aspak keq që do të më thonë plakë, naive, e prapambetur, sepse do të zgjedh gjithmonë të jem njeri, para se të jem moderne.
Do zgjedh të fal, të dua,të ndihmoj,të mbaj fjalën…
Edhe kur kjo më lë të vetme në një botë të mbushur me maska.
Mos ma vini re…
Jam nga një epokë tjetër.
Jam këtu, për t’i kujtuar botës, se zemra nuk del kurrë nga moda.
Leave a comment