Seminari kësaj radhe u zhvillua në Patra në qendrën “ Dhafni” i dedikuar edukimit dhe trajtimit të temave të ndjeshme, që lidhen me emigracionin, me fokus të veçantë te fuqizimi i gruas emigrante.
Aktiviteti u organizua nga organizata prestigjioze “Melissa Network of Migrant Women in Greece”, në bashkëpunim me KEK “Dhafni” Patra, duke mbledhur pjesëmarrëse nga komunitete të ndryshme migrantësh që jetojnë në Greqi, si dhe përfaqësues të organizatave të ndryshme që mbështetën tematikën e këtij seminari.
Shoqata “Emigranti” mori pjesë zyrtarisht në këtë seminar, falë përfaqësimit të kryetares znj. Kristiana Veliu dhe mësueses e aktivistes znj. Vilma Rogo. Gjatë dy ditëve të programit, ato diskutuan çështje që prekin drejtpërdrejt jetën e emigranteve të huaja & shqiptare: integrimin social, sfidat kulturore, të drejtat e grave, aksesin në arsimim, si dhe nevojën për ngritjen e mekanizmave mbështetës brenda komunitetit, si dhe ide e propozime për një qasje të problematikës së femrës dhe sfidave të saj në emigracion.
Dhe konkretisht u hodhën ide për projekte të reja bashkëpunimi, që do të zhvillohen në të ardhmen me synim nxitjen e multikulturës, ruajtjen e identitetit kombëtar dhe forcimin e rolit të gruas brenda komunitetit migrues.
Organizata “Melissa” falënderoi pjesëmarrëset për kontributin dhe angazhimin e tyre, duke vlerësuar punën e Shoqatës “Emigranti” si një urë të rëndësishme lidhëse mes komunitetit shqiptar dhe institucioneve greke.
Shoqata “Emigranti” shprehu mirënjohjen për ftesën dhe mundësinë për të përfaqësuar zërin e shumë grave shqiptare që jetojnë dhe punojnë në Greqi, duke theksuar se angazhime të tilla mbeten themelore për forcimin e dialogut, bashkëpunimit dhe integrimit të denjë në shoqërinë pritëse.
Mirënjohje dhe respekt !




Leave a comment