Nga: Sindi Kasalla
Elbasan Mjekja Zheni Gjergji është emëruar në detyrën e re si Drejtore e Spitalit Rajonal “Dr. Xhaferr Kongoli” në Elbasan. Emërimi i saj është pritur me interes nga komuniteti shëndetësor dhe qytetarët e Elbasanit, për shkak të eksperiencës së gjatë dhe angazhimit të saj në fushën e mjekësisë. Në fjalën e saj të parë pas marrjes së detyrës, Gjergji theksoi se ky vendim nuk ishte një zgjedhje e lehtë politike, por një vendim thellësisht profesional dhe njerëzor, i mbështetur mbi përvojën dhe përkushtimin në shërbimin ndaj qytetarëve. Pavarësisht angazhimit tim të mëparshëm politik, unë kam qenë dhe mbetem mjeke. Profesioni im është thirrje, jo pozicion. Kam zgjedhur të jem aty ku mund të jap më shumë për shëndetin e njerëzve, për komunitetin tim, për qytetin që dua”, deklaroi ajo. Drejtoresha e re u shpreh se ndjen nder dhe përgjegjësi që drejton institucionin më të rëndësishëm shëndetësor të qytetit, duke e cilësuar këtë sfidë si një detyrë që kërkon “përkushtim, dije dhe ndershmëri”.
“Shëndetësia ka nevojë për njerëz që e njohin sistemin, që ndjejnë barrën e përgjegjësisë dhe që janë të gatshëm të punojnë me përkushtim, përtej bindjeve dhe kornizave politike”, – shtoi ajo.
Në përfundim, Gjergji falënderoi për besimin e dhënë, duke theksuar se angazhimi i saj do të jetë çdo ditë në shërbim të pacientit, stafit mjekësor dhe dinjitetit të kujdesit shëndetësor.
Leave a comment